Pas 7 ditësh në luftë më zjarret në malet e Pukës, kryetari i bashkisë Pukë Gjon Gjonaj shprehet se situate po shkon drejt normalizimit pasi zjarret pothuajse janë neutralizuar. Sipas kryebashkiakut do të duhen edhe dy ditë për të bërë shuarjen totale të flakëve ndonëse dëmi i shkaktuar në pyjet e Pukës është i madh.

Ndërkohë kryebashkiaku i Pukës Gjonaj është i shqetësuar pasi sipas tij menaxhimi i pyjeve nuk mund të realizohet në këtë formë që është sot duke i kërkuar qeverisë dhe kryeministrit që të rishikohet menaxhimi i pyjeve.

Masat ndëshkimore për dëmet që shkaktohet në pyje por edhe menaxhimin total të tyre bashkë me kapacitetet të shtuara njerëzore dhe logjistike duhet që t’i kalojë bashkive shprehet kryebashkiaku i Pukës dhe jo të jetë e ndarë në disa institucione siç është aktualisht.

Deri më tani nuk ka identifikim të autorëve të zjarrëvënieve në Pukë. Edhe në rastet kur konstatohet një keqbërës, tekniku i pyjeve të Pukës sipas kryebashkiakut Gjonaj duhet të telefonojë strukturat në Shkodër dhe i bie të qëndrojë me keqbërësin 6-7 orë duke mos patur asnjë siguri.

Dëmi i shkaktuar në pyjet e Pukës është i konsiderueshëm. Aktualisht një vatër në malin e Tërbunit vijon të jetë aktive si dhe në fshatin Flet të bashkisë Fushë Arrës ndërsa vijon punë për neutralizimin total të flakëve atje.

Artikulli paraprakDOLËN NË PËRGJIMET E OPERACIONIT “SHPIRTI”, ARRESTOHEN NË FRANCË DHE GJERMANI 2 ISH-SHOQËRUESIT E SAIMIR TAHIRIT
Artikulli tjetërSHKODËR, TELEFONATAT E RREME PROBLEM PËR ZJARRËFIKSEN