Zjarrfikësit kanë fituar terren ndaj zjarrit në zonën e La Tuna në Los Anxheles, që konsiderohet si zjarri më i madh në historinë e qytetit.
Mësohet se 30% e zjarrit prej 7000 akrash është ndalur dhe se autostrada 210, një arterie kryesore e trafikut në Los Anxheles, është rihapur për publiku. Autostrada u mbyll të premten kur zjarri nisi, diçka që detyroi më pas guvernatorin e Kalifornisë Jerry Brown që të shpallë gjendjen e emergjencës për zonat e prekura nga flakët. Pas progresit në luftën kundër flakëve, autoritet gjithashtu anuluan urdhrat e evakuimit duke çliruar nga tensioni me mijëra banorë të zonës që po bëheshin gati të braktisnin shtëpitë e tyre.
Më shumë se 100 zjarrfikës, 206 automjete dhe 9 helikopterë janë angazhuar në luftën kundër zjarri masiv që ka djegur disa shtëpi, por që fatmirësisht nuk ka shkaktuar viktima. Autoritetet lokale bënë thirrje se pavarësisht progresit që zjarrfikësit kanë arritur, të gjitha burimet duhen shfrytëzuar kundër këtij zjarri, më i madhi që qyteti ka parë. Temperaturat e larta dhe erërat e forta ndihmuan zjarrin që të përhapej me shpejtësi gjatë fundjavës, ndërsa reshjet sporadike që kanë nisur vetëm orët e fundit në Los Anxheles duket se kanë ndihmuar jo pak zjarrfikësit në detyrën e tyre.