Një zjarr shkrumboi 22 derra që ndodheshin në këtë stallë në fshatin Vukatan të njësisë Guri i Zi në Shkodër. Flakët përfshinë stallën rreth orës 22:00 të mbrëmjes së 27 shtatorit dhe zjarri u përhap me shpejtësi duke djegur derrat dhe duke shkaktuar dëme të mëdha materiale. Pronari i stallës, Angjelin Gjoni, 65 vjeç thotë se mundi i 22 viteve punë e sakrificë i shkoi dëm.

Derrat të cilët i mbante për tregti ishin të ardhurat kryesore për familjen Gjoni shprehet kryefamiljari i cili në këtë situatë të vështirë bën apel për ndihmë.

Përgjegjësi i sektorit të parandalimit në repartin zjarrëfikës në Shkodër Muhamet Smajli thotë se efektivët kanë shkuar me shpejtësi por ishte e pamundur për të shpëtuar derrat. Mendohet se zjarri ka ardhur nga një shkëndije elektrike.

Ajo që mbetet një shqetësim janë linjat e amortizuara të energjisë elektrike të cilat shpesh janë shkaktare të zjarreve në fshatra e qytet.

Edhe më përpara zjarrëfikëset kanë bërë apel që qytetarët të bëjnë kujdes nga shkëndijat elektrike si dhe kanë kërkuar përmirësimin e këtyre linjave të cilat vijojnë të jenë të rrezikshme duke shkaktuar zjarre.

Artikulli paraprakAVOKATI I POPULLIT NIS HETIM ADMINISTRATIV PËR MËNYRËN E ARRESTIMIT TË ILIR METËS
Artikulli tjetërKOLEKTORËT, NIS PRISHJA E NDËRTIMEVE