Zjarri masiv që ka përfshirë Kaliforninë ka dëmtuar shtëpitë e lagjes “Bel-Air” në Los Anxheles, e banuar kryesisht nga pasanikët amerikanë.

Zjarri, i pagëzuar me emrin “Skirball”, ka shkatërruar disa shtëpi dhe është përhapur në një sipërfaqe mbi 150 akër. Bëhet fjalë për avancimin e radhës të flakëve që kanë përfshirë shtetin amerikan, ku kanë lënë pas shkatërrime masive. Më i madhi, i quajtur “Zjarri Tomas”, ka mbuluar mbi 90 mijë akër. Natën mes së mërkurës dhe së enjtes, shërbimi zjarrfikës i Kalifornisë deklaroi se flakët kërcënonin 12 mijë ndërtesa, ndërsa kishin shkatërruar 150 dhe vetëm 5 për qind e tyre ishin vënë nën freh. Urdhrat e evakuimit mbetën në fuqi në zona të ndryshme të rajonit, ku erërat e forta ndihmonin në përhapjen e flakëve.

Autoritetet dhanë alarmin e nivelit “të purpurt”, që është dhe paralajmërimi më i lartë për atë që është quajtur “mot jashtëzakonisht i zjarrtë”. Ken Pimlott, shef i repartit të zjarrfikësve të Kalifornisë, u tha gazetarëve se përballja me flakët është një mision i pamundur kur ato favorizohen nga erërat. Ai theksoi se prioritet kanë operacionet e evakuimit. Ndërkohë, Universiteti i Kalifornisë anuloi mësimin këtë të enjte, pavarësisht se kampusi i tij ndodhet jashtë zonës së evakuimit, në pjesën perëndimore të Los Anxhelesit.

Artikulli paraprakSHQIPTARËT KËRKOJNË TË EMIGROJNË, NË 2017 KËRKUAN AZIL 27.575 SHQIPTARË
Artikulli tjetërKULT – BASHKIM ALIBALI