Në prag të sezonit turistik, një pjesë e teknikëve dhe inxhinierëve të Policisë Pyjore pranë Inspektoriatit Shtetëror të Mjedisit dhe Pyjeve do të angazhohen për kontrolle të shtuara, kryesisht në pikat turistike.
Sa i përket rasteve të rënies së zjarrit, shefi i policisë pyjore thotë se do të ketë shtim të masave administrative, ndërsa paralajmëron ndjekje penale për zjarrvëniet e qëllimshme. Sa i përket pikës turistike të Velipojës, monitorimi do të bëhet trepalësh, me bashkëpunimin e teknikëve të bashkisë dhe Administratës së Zonave të Mbrojtura.
Rënia e zjarreve në pyje, kryesisht në afërsi të zonave të banuara është një problematikë e mbartur nga viti në vit. Në shumë raste, policia Pyjore ka dyshuar për zjarrvënie të qëllimshme, por gjatë vitit të kaluar nuk është ndaluar apo ndëshkuar asnjë person për një shkelje të tillë. Sezonin turistik të 2016-s, zjarret përfshinë për 2 ditë me radhë sipërfaqe të konsiderueshme toke pranë bregdetit të Velipojës, ndërsa për shkak të terrenit të thyer, zjarrfikësit e kishin shumë të vështirë ndërhyrjen. Praktikisht, me rritjen e temperaturave, Qarku i Shkodrës rrezikohet nga rënia e zjarreve në pyje.