Qyteti i Shkodrës është zbukuruar pjesërisht deri më tani. Dritat dhe zbukurimet për momentin janë vendosur vetëm në qendër të qytetit në dy pedonalet kryesore por kjo është e pamjaftueshme pasi disa zona të tjera historike dhe kulturore janë lënë në harresë. E gjithë pjesa përpara katedrales “Shën Shtjefni” deri më tani nuk është zbukuruar nga bashkia Shkodër dhe është e paqartë nëse kjo zonë e rëndësishme e qytetit të Shkodrës do të ndriçohet apo jo ashtu siç ka ndodhur vitet e mëparshme.
Aktualisht pjesa e katedrales dhe lagja historike e Gjuhadolit janë pa asnjë zbukurim në një kohë kur në pjesën tjetër të qytetit festa ka nisur, në këtë zonë nuk ndjehet aspak atmosfera e festës.
Ndërkohë ky nuk është problemi i vetëm. Edhe sheshi kryesor i qytetit të Shkodrës “Nënë Tereza” këtë vit ka një ndryshim thelbësor që për imazhin e atyre që do vizitojnë qytetin e Shkodrës nuk është aspak i këndshëm. Qendra e qytetit është lënë pa një pemë të krishtlindjes dhe vitit të ri ashtu siç ka ndodhur vitet e kaluara.
Këtë radhë është menduar që të vendoset kjo lojë për fëmijët por që në fakt është një objekt i shëmtuar që nuk i shkon aspak për shtat dritave dhe gjithë pjesës tjetër festive. Qendra e Shkodrës është lënë pa një pemë duke u zëvendësuar nga ky objekt metali që nuk është aspak në harmoni me hapësirën dhe këto ditë festive.