Shumë zona vijojnë që të jenë të bllokuara në qarkun e Shkodrës nga dëbora. Thethi, por edhe disa zona të tjerë ku dëbora arrin në një metër kanë probleme me qarkullimin.
Kalimi është i vështirë në territorin malor dhe rruga Prekal-Theth është e bllokuar në segmentin rrugor të Malit të Shoshit ku trashësia e dëborës arrin 1m.
Rrugët e brendshme që lidhin disa fshatra në njësinë administrative Pult gjithashtu janë të bllokuara. Rruga për në fshatin Bruçaj në Qafë-Thanë është e bllokuar, po ashtu edhe rruga për në fshatin Mazrek të njësisë administrative Gur i Zi është e bllokuar.
Në njësinë administrative Ana e Malit janë të përmbytura mbi 300 ha nga reshjet e shiut, shkrirja e debores, por edhe shkarkimet. Problem shqetësues paraqiten edhe punimet që po bëhen në rrugën e Velipojës pasi në fshatin Trush janë bllokuar kanalet anësore dhe ka përmbytje të tokave që janë afër rrugës.
Furnizimi me energji elektrike ka probleme pothuajse në të gjithë njësinë administrative Dajc. Gjithashtu si pasojë e shembjes së kanalit të H/C të Ndërlysës njësia Shosh dhe Shalë janë pa energji elektrike.
Në zonat malore rezervat ushqimore janë drejt pakësimit dhe kërkohet furnizim me bazë ushqimore për kafshët në zonat malore.
Gjithashtu nga monitorimi në terren është vënë re që prurjet e lumit Drin dhe Kir janë rritur ndjeshëm. Situata po mbahet në monitorim të vazhdueshëm nga ana e Bashkisë Shkodër.