Pas 11 vjet qeverisjeje me Maqedoninë, ka rënë pushteti i Nikolla Gruevskit të VMRO DPMNE-së i përballur me akuza të shumta si nga brenda ashtu edhe jashtë vendit, për qeverisjen autoritare me vendin, e në veçanti për ngjarjet e fundit të dhunshme në Kuvend.

Me 62 vota për, 5 abstenime dhe 44 vota kundër, Kuvendi i Maqedonisë ka votuar Qeverinë e re që do të drejtohet nga kryeministri, Zoran Zaev. Qeveria e re përbëhet nga tri subjekte politike, Lidhja Sociale-Demokrate, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Aleanca për Shqiptarët. Partitë shqiptare do të drejtojnë shtatë ministri, ndërsa do të kenë edhe dy poste të zëvendëskryeministrave si dhe kryetarin e Kuvendit.

Zgjedhjes së kabinetit të ri qeveritar i ka paraprirë një debat i ashpër dyditor mes deputetëve të shumicës së re dhe VMRO-së opozitare të ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski. Kreu i ri i Qeverisë, Zoran Zaev, tha se kabineti i tij do të do të punojë për kthimin e normalitetit në vend, sundimin e ligjit dhe të shtetit ligjor, zhvillimin ekonomik si dhe integrimin euroatlantik të vendit.

“Me zemër të hapur dhe besim të madh do të punojmë të gjithë së bashku, në interes të të gjithë qytetarëve, në interes të Maqedonisë tonë të përbashkët. Unë dhe kabineti im do të punojmë për bashkimin dhe jo ndarjen e popullit, do të punojmë për jetë më të mirë, për kthimin e besimit të qytetarëve në institucionet, për të ardhme më të mirë për të gjithë”, ka deklaruar Zaev.

Ndërkohë, ish-kryeministri, Nikolla Gruevskit në paraqitjen e tij para votimit të Qeverisë drejtoi kritika të ashpra ndaj kabintetit të ri të Zaevit duke e vlerësuar si rrënues të asaj që është arritur në Maqedoni gjatë qeverisjes së partisë së tij me Maqedoninë. Gruevski kërkoi edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare meqë siç tha është shkelur vullneti i qytetarëve që e nxori partinë e tij fituese të zgjedhjeve të 11 dhjetori të kaluar.

Ai foli edhe për raportet ndëretnike duke thënë se VMRO-ja dhe ai personalisht asnjëherë nuk kanë bërë ndarje etnike duke i quajtur pretendimet e tilla si perceptime të gabuara. Gruevski tha se pas presioneve të shumta nga populli, Zaev u detyrua që para se të merrte mandatin të jepte garanci se do të heq dorë nga ajo që njihet si “Platformë e Tiranës”.

“Është mirë se ai nënshkroi se nuk do të mbështes Platformën e Tiranës. Dua të përgëzoj edhe popullin i cili plotë 80 ditë protestoi kundër saj me qëllim që të ruaj unitarizmin e shtetit. Askush nga ne nuk luftonte që t’i shkurtohen të drejtat shqiptarëve pasi ata sikur edhe në të kaluarën ashtu edhe në të ardhmen do të kenë avancim të përdorimit të gjuhës së tyre”, u shpreh Gruevski.

Në emër të grupit parlamentar të Bashkimit Demokratik për Integrim, deputeti Artan Grubi, tha se me zgjedhjen e Qeverisë së re po përfundon edhe kriza politike në Maqedoni, dhe se dëshmi për këtë sipas tij është programi qeveritar që ofron mirëqenie për qytetarët. “Nuk ka mënyrë më të mirë të përfundimit të kësaj krize kaq të thellë se sa me një program të tillë qeverisës kaq premtues, program i cili premton integrimin në NATO dhe BE, me një program i cili premton sundimin e së drejtës, një program i cili premton rrumbullakimin e Marrëveshjes së Ohrit, nëpërmjet arritjes së barazisë gjuhësore në përputhje me kushtetutën e Maqedonisë”, ka deklaruar Grubi.

Lëvizja Besa, që do të jetë opozita e re shqiptare votoi e përmbajtur me arsyetimin se edhe ky kabinet qeveritar, e në veçanti partia maqedonase nuk ka treguar gatishmëri për mbylljen e shumë çështjeve të hapura shqiptare. Kjo parti kishte ofruar një dokument me disa kërkesa për ridefiminim e shtetit, si kusht për të qenë pjesë e Qeverisë, por refuzimi i saj nga LSDM-ja sipas liderit të Lëvizjes Besa, Bilall Kasami dëshmon se politikanët maqedonas ende nuk janë të gatshëm për një fillim të ri në Maqedoni.

“Nëse nuk kemi vullnet që ta ridefinojmë Maqedoninë, atëherë do në na ndodhë që në çdo dhjetë vjet të vihet në pikëpyetje ekzistenca e këtij shteti. Duke mos e njohur këtë ne arritëm në pikën më të keqe në të cilën ndodhemi sot, të kemi parti të pasura siç janë VMRO dhe BDI, por shtet të dobët dhe qytetar të varfër”, theksoi Kasami.

Qeveria e re u votua më shumë se pesë muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare më 11 dhjetor. Fituese e zgjedhjeve ishte VMRO-ja me dy deputet më shumë se LSDM-ja, por lideri i saj Nikolla Gruevskit nuk arriti të formojë qeverinë për shkak se nuk gjeti partner tek partitë shqiptare por edhe për shkak të rezultatit të ngushtë zgjedhor. Mandatin për formimin e qeverisë e mori Zaevi pas refuzimeve të shumta nga presidenti Gjorge Ivanov, por edhe pas ngjarjeve të dhunshme në Kuvend më 27 prill.

Artikulli paraprakNËSE MERRNI KËTË MESAZH NGA “WHATSAPP”, FSHIJENI MENJËHERË
Artikulli tjetërBANORËT NË LIVADE THIRRJE PËR PROTESTËN