Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani tha se ishte një “gabim i rëndë” i Perëndimit që lejoi vrasjen e ish-liderit libian, Muammar Gaddafi gjatë Pranverës Arabe në vitin 2011. Ai tha se vdekja e tij shkaktoi destabilitet në Afrikën e Veriut, raporton Ansa.
“Ishte një gabim shumë i rëndë lejimi i vrasjes së Gadafit. Ai mund të mos ketë qenë një kampion i demokracisë, por me fundin e tij, paqëndrueshmëria politike erdhi në Libi dhe Afrikë”, tha kryediplomati, duke marrë pjesë në një forum veror në bregdetin verior të Toskanës.
Ai shtoi se falë marrëveshjeve me Muammar Gaddafin, Italia arriti të ndalojë flukset e emigracionit dhe se situata është shumë më e qëndrueshme. Gaddafi i cili kryesoi një afrim me Italinë, u vra nga rebelët më 20 tetor 2011.