Zv/Kryeministrja Mesi merr pjesë në Konferencën Ekonomike të Ballkanit Perëndimor “Sfidat në rrugën drejt Bashkimit Evropian”

Ajo ka zhvilluar gjithashtu takime dypalëshe me Kryeministrin e Malit të Zi dhe Zv/Kryeministrin e Serbisë. Zv/Kryeministrja e Republikës së Shqipërisë Senida Mesi ka marrë pjesë në Konferencën Ekonomike të Ballkanit Perëndimor “Sfidat në rrugën drejt Bashkimit Evropian”, organizuar sot në Budva të Malit të Zi nga Dhoma e Ekonomisë së këtij vendi dhe qeveria malazeze. Në panelin e diskutimit të kësaj konference ku ishin gjithashtu të pranishëm përfaqësues të lartë nga vendet e rajonit, gjatë fjalës së saj, Zv/Kryeministrja Mesi nënvizoi rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit dhe sinergjisë, pavarësisht sfidave të ndryshme që mund të ketë secili shtet i Ballkanit Perëndimor. Duke shprehur bindjen se bashkërendimi i strategjive të vendeve të rajonit ngelet një domosdoshmëri për sinkronizimin e nevojave të qytetarëve dhe sipërmarrjes, Znj. Mesi u ndal tek integrimi drejt Bashkimit Evropian si një mision i përbashkët i shteteve të Ballkanit Perëndimor. Brenda këtij kuadri, ajo tregoi progresin e çmueshëm që Shqipëria ka bërë dhe nënvizoi faktin se Qeveria Shqiptare mbetet tërësisht e angazhuar në plotësimin e çdo prioriteti për arritjen e këtij synimi madhor. Gjatë ditës së Konferencës Ekonomike, Zv/Kryeministrja Mesi zhvilloi gjithashtu takime dypalëshe me Kryeministrin e Malit të Zi Duško Marković dhe Zv/Kryeministrin e Serbisë Rasim Ljajic. Në takimin e zhvilluar me kryeministrin malazez, Znj. Mesi shprehu gatishmërinë e Qeverisë Shqiptare për zhvillimin e mëtejshëm të rekordeve pozitive si në aspektin politik e diplomatik, si dhe theksoi vendosmërinë e palës shqiptare për të rritur dhe thelluar bashkëpunimin në ekonomi dhe tregti. Me homologun serb Ljajic, Zv/Kryeministrja Mesi diskutoi marrëdhëniet dypalëshe dhe progresin e tyre falë mirëkuptimit të përbashkët, si edhe theksoi nevojën e një agjende konkrete shkëmbimesh në fusha të ndryshme si tregtia, turizmi, energjia, transporti etj.

Artikulli paraprakTRAFIK KOKAINE ME VLERË 4 MLN STËRLINA, 25 VITE BURG 4 SHQIPTARËVE
Artikulli tjetërGJYKATA E KATANIAS LIRON NGA BURGU MIKUN E HABILAJT