52 shtetas grekë janë shpallur non-grata nga Republika e Shqipërisë pas shfaqjeve ekstremiste që u regjistruan dje gjatë ceremonisë mortore te Kostandions Kacifas. Lajmi u be i ditur nga Zv. Ministri Lleshi.
Deklaratë e Zv.Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj:
Ministria e Brendshme e Republikës së Shqipërisë, në plotësim të përgjegjësive kushtetuese, atyre ligjore si dhe të përcaktimeve të normave të marrëdhënieve ndërkombëtare, bazuar në nenin 9 të Ligjit nr. 108/2013,
“Për të huajt”, i ndryshuar; në mbrojtje të interesave të rëndësishme shtetërore që lidhen me sigurinë kombëtare; në funksion të ruajtjes së pacenuar të marrëdhënieve ndërkombëtare të vendit dhe konkretisht të marrëdhënieve miqësore me Republikën e Greqisë; e angazhuar për të mbrojtur e garantuar
në çdo aspekt të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri dhe praninë e çmuar, historikisht harmonike të këtij minoriteti në gjirin e familjes shqiptare; e ndërgjegjshme për historinë e
marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe të ardhmen e përbashkët të shqiptarëve dhe grekëve si kombe me përkatësi dhe përgjegjësi të rëndësishme për familjen e kombeve evropiane; duke e konsideruar të papranueshëm,
provokimin sa vulgar, aq edhe të rrezikshëm që iu bë dje shtetit shqiptar e qytetarëve të tij pa dallim, nga individëve e grupe të caktuara të ardhura nga Greqia,
të cilët shpërdoruan respektin tonë ndaj normës tradicionale shqiptare të hapjes së dyerve të një familjeje në zi dhe e kthyen një ritual përbashkues varrimi, në një shfaqje të pa tolerueshme ekstremizmi, ka vendosur:
Shpalljen persona të padëshiruar në vendin tonë, të 52 personave të shtetësisë greke, për veprimtari të organizuar në dëm të sovranitetit të Republikës së Shqipërisë dhe shfaqje e deklarata sfiduese ndaj rendit kushtetues, sigurisë kombëtare dhe qetësisë publike të këtij vendi. Këta njerëz dhe të tjerë, që po analizohen nga forcat tona të sigurisë lidhur me shfaqjen e djeshme ekstremiste në fshatin Bularat,
nuk do të lejohen të hyjnë më në këtë vend, për periudhën e parashikuar në ligj. Askush nuk duhet ta marrë urtësinë tonë për dobësi dhe asnjë i huaj nuk mund të shkelë pa u përballur me pasojat, ligjin dhe traditat e mikpritjes së këtij vendi.