Mbledhja e sotme e Komisionit parlamentar të Integrimit ka nisur me debate dhe shkak është bërë ardhja me vonesë në mbledhje e zv/ministrit të Jashtëm Etjen Xhafaj.

Komisioni kishte në rend të ditës shqyrtimin nen për nen të buxhetit për vitin 2020. Deputetja Rudina Hajdari i ka kërkuar llogari për vonesën zëvendës ministrit Xhafaj.

“E papranueshme vonesa në mbledhje. Në komision duhet të jetë ministri në detyrë”, deklaroi Hajdari e cila bashkë me deputetin tjetër të opozitës së re Ralf Gjoni kanë debatuar me deputetët e PS për vonesën, duke pretenduar për shpërfillje të komisionit. Më pas Hajdari dhe Gjoni kanë braktisur mbledhjen, e cila është drejtuar më tej nga nënkryetarja e Komisionit Senida Mesi.

Zv/ministri Xhafaj ka kërkuar ndjesë për vonesën që u bë shkak për debat në komision. Ai ka deklaruar se ministri i Jashtëm në detyrë Gent Cakaj ka udhëtuar drejt Bratislavës ku do zhvillohet një mbledhje e OSBE-së. Komisioni parlamentar i Integrimit vijon diskutimin për buxhetin e vitit të ardhshëm.

foto galeri

Artikulli paraprakINFO PLUS – 06.12.2019
Artikulli tjetërSHQIPËRIA MERR PRESIDENCËN E OSBE-SË, RAMA DHE CAKAJ NË BRATISLAVË