Zvicra voton ligjin për emigrantët, frikë për prishjen e marrëdhënieve me BE
Ligji i Zvicrës për frenimin e emigrantëve të paligjshëm ka ngritur shqetësimin për një tensionim të marrëdhënieve mes vendit helvet dhe Bashkimit Evropian. Debati në Zvicër në shumë mënyra pasqyron situatën në Britani, ku votuesit vendosën në qershor të largohen nga Bashkimi Evropian si një mënyrë për të kontrolluar emigracionin. Mungesa e një limiti për emigrantët në vendin me 8.3 milionë banorë, popullsia e të cilit është tashmë një e katërta e huaj, i dha shans partisë popullore zvicerane të krahut të djathtë të kërkonte një referendum në 2014. SVP, partia më e madhe, ka akuzuar partitë vendase për varësi ndaj bruskëshit dhe zbehje të sovranitetit të Zvicrës. Por në një përgjigje, pas miratimit në parlament të ligjit të premten, Bashkimi Evropian u shpreh se ligji duket në rrugën e duhur pasi Zvicra vendosi të mos caktonte kuota për shtetasit e Bashkimit Evropian që dëshirojnë të punojnë në Zvicër. “Është e qartë që ligji nuk kërkon të imponojë kuota në qarkullimin e lirë të qytetarëve të unionit dhe nuk ndalon punësimin e tyre në Zvicër, në kundërshti me sa shkruhej në draftin fillestar “, deklaroi zëdhënësi i Komisionit Evropian Margaritis Schinas. Ai tha gjithashtu se Bashkimi Evropian synon të diskutojë me Zvicrën rreth aplikimit të këtij ligji dhe do të vazhdojë të analizojë situatën duke u konsultuar me 28 vendet anëtare të Unionit. Presidenti i komisionit Europian Jean Claude-Juncker do të bisedojë me presidentin e Zvicrës për të shkëmbyer pikëpamjet fillestare dhe për të diskutuar rreth hapave të mëtejshëm. Një mbledhje e përbashkët mes BE dhe Zvicrës është planifikuar të zhvillohet më 22 dhjetor.