ZYRTARË TË BE NË PRISHTINË THIRRJE QYTETARËVE QË TË MOS LARGOHEN NGA VENDI. Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka thënë se në BE, sistemi i azilit ekziston për ata njerëz që largohen nga persekutimi ose dëmtimi i rëndë në vendin e tyre dhe, për pasojë, kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare.“Në rastin e Kosovës, nuk ka pothuajse asnjë shans që kërkesat për azil të pranohen.

Çdo vendim për të ofruar azil ose jo, është individual, por duhet theksuar se shumica e kërkesave për azil nga Kosova refuzohen dhe njerëzit riatdhesohen”, thuhet në një deklaratë me shkrim të Zyrës së BE-së në Prishtinë.Duke komentuar valën e fundit të migrimit ilegal nga Kosova, Zyra e BE-së po ashtu ka thënë se “kosovarët rrezikojnë të bëjnë shpenzime të konsiderueshme, vetëm për t’u rikthyer në Kosovë”. Sa i përket dialogut për liberalizimin e vizave, përfaqësia e Bashkimit Evropian ka thënë se nuk është në interes të Kosovës “nëse numri i kërkesave për azil në BE, nga shtetas kosovarë, vazhdon të rritet”. Zyrtarë të Ministrisë së Integrimit Evropian në Kosovë, por edhe njohës të fushës kanë shprehur po ashtu shqetësimet e tyre për ndikimin e këtij problemi në procesin e liberalizimit të vizave. Në të njëjtën kohë, ata kanë thënë se pa zhvillim ekonomik të Kosovës, migrimi do të jetë vështirë të ndalet. Ministria e Punëve të Brendshme në Kosovë nuk ka ende ndonjë të dhënë zyrtare për migrimet e qytetarëve të Kosovës këtë vit.

Artikulli paraprakBIBLIOTEKA FRANÇESKANE NGJALL INTERES
Artikulli tjetërDITA BOTËRORE E LUFTËS KUNDËR KANCERIT