Asnjë hap nuk është bërë për rihapjen e zyrës së informacionit për turistët në qendrën e qytetit të Shkodrës.

Kjo zyrë u mbyll në muajin prill të vitit të kaluar për shkak se kompania Çelësi dhe bashkia Shkodër nuk arritën të gjejnë një marrëveshje mes tyre për ta rinovuar kontratën. Pavarësisht mosmarrëveshjes të Bashkisë me kompaninë në fjalë e rëndësishme është se në qytetin e Shkodrës nuk ka asnjë zyrë informacioni për turistët e huaj që vijnë. Patjetër që mungesa e një qendre ku turistët mund të informohen për shumëçka për Shkodrën është një minus i madh dhe nuk bën gjë tjetër veçse sjell dëme. Turistët kur nuk gjejnë informacion mund të largohen fare thjeshtë nga Shkodra. Në fillim të muajit maj të 2015-ës përgjegjësi në zyrën e turizmit Gentian Mema do të shprehej se po kërkohet bashkëpunimi me kompani të tjera për të hapur një zyrë tjetër informacioni për turistët por po bëhen 9 muaj që atëherë dhe ende nuk është gjetur një zgjidhje. Kjo zyrë që prej kohësh mban të mbyllyra dyert duke mosfunksionuar nuk ka patur vetëm dhënien e informacionit por ka bërë të mundur edhe promovimin e vlerave të qytetit të Shkodrës, pjesëve historike si dhe zonave tradicionale. Po ashtu zyra për turistët gjatë gjithë sezonit turistik gjatë viteve të kaluara ka mbajtur edhe eivdenca të sakta duke patur informacionin e duhur se sa turistë vinin në Shkodër, se sa qëndronin vetëm një ditë dhe se sa të tjerë vizitonin më gjatë qytetin duke ditur edhe shtetet nga vijnë. Edhe pse është e domosdoshme, qartazi zyra e informacionit të paktën për këtë sezon që pritet të nisë kur edhe numri i turistëve shtohet ndjeshëm mundet që të mos hapet sepse ende Bashkia Shkodër nuk ka gjetur modulin e duhur dhe një bashkëpunim me ndonjë tjetër kompani. Kjo mungesë busulle për orientim drejtpërdrejtë ndikon në degdisjen e turistëve në shtetin fqinj të Malit të Zi apo edhe qytete të tjera jashtë Shkodrës ku informacioni është i bollshëm. Resurset e Shkodrës janë të padsikutueshme por në kushtet e një terri informative turistët provojnë qasje të tjera duke humbur një mundësi të mirë që Shkodra të ketë një gjenerim më të madh të ardhurash në aspektin ekonomik.

Artikulli paraprakTABELAT, 1-2 METËR 25 MIJË LEKË, MBI 2 METËR 90 MIJË LEKË
Artikulli tjetërGJIMNAZET, NDRYSHON KORRIKULA, TEKSTE ME TË THJESHTA