Paulo Pjeshka do të jetë pjesë e Vllaznisë për të paktën 3 sezone. Lajmi është dhënë nga vetë klubi shkodran, me anë të një postimi në rrjetet sociale. 19 vjeçari shihet si mjaft me prespektivë për të ardhmen dhe është një nga elementet më të mirë që ekipi i të rinjve ka. Kontrata e re parashikon edhe mundësinë e zgjatjes së bashkëpunimit për 2 sezone.
POSTIMI I PLOTË
“VLLAZNIA MENDON PËR TË ARDHMEN”
Përpos angazhimit maksimal për ta mbyllur ashtu si duhet sezonin aktual, te Vllaznia kanë filluar të mendojnë edhe për të ardhmen dhe për këtë arsye, ka filluar procesi i firmosjes së kontratave me futbollistët e ekipit të të rinjve të klubit tonë. I pari që ka hedhur firmë ditën e sotme ka qenë mesfushori me tipare sulmuese Paulo Pjeshka. Në prani edhe të presidentit Alban Xhaferi, 19 vjeçari ka firmosur të parën kontratë profesioniste teksa do të jetë pjesë e Vllaznisë për 3 vitet e ardhshme, me të drejtë shtyrje edhe për 2 të tjera. Procesi do të vijojë edhe me firma të tjera, sepse klubi i ka sytë nga elementët cilësorë të Akademia e tij. Suksese Paulo Pjeshka!” – shkruan klubi.