Tashmë është zyrtare. Suad Lici është administratori i ri i Klubit të Futbollit Vllaznia. Ka qenë vetë klubi shkodran që përmes faqes së tij zyrtare përmes një komunikate për shtyp, ka lajmëruar për një lëvizje të tillë.
Siç bëhet e ditur në të, Këshilli Mbikëqyrës në marrjen e këtij vendimi është ndalur tek karriera e tij sportive por edhe formimi akademik dhe suksesi në sipërmarrjet private.
Lici zë vendin e Astrit Gjyrezit që dha dorëheqjen nga ky post pak kohë më parë. Ja çfarë thuhet në faqen e klubit Vllaznia për lëvizjen më të fundit në krye të tij:
Komunikatë për shtyp
Klubi i Futbollit Vllaznia sh.a bën të ditur se pas shqyrtimit të disa kandidaturave, ka vendosur që në postin e administratorit të tij, të emërojë z. Suad Lici.
Një emër i tillë natyrisht që është shumë i njohur nga i gjithë ambjenti sportiv shkodran dhe shqiptar,
sepse kemi të bëjmë me një futbollist që ka lënë gjurmën e tij gjatë aktivizimit shumëvjeçar me Vllazninë, por edhe me kombëtaren shqiptare.
Nga ana tjetër, formimi i tij akademik dhe suksesi në sipërmarrjet e tij private, na bëjnë të besojmë se ai është zgjedhja e duhur për drejtimin e Klubit.
I urojmë shumë sukses z. Lici për ta kthyer Vllazninë sa më shpejt në nivelet më të larta.
KF Vllaznia