Shqipëria, sipas ministrit të Jashtëm në detyrë Gent Cakaj, ka dyfishin zyrtarëve dhe të familjarëve të tyre të pajisur me pasaporta diplomatike, krahasuar me vendet e fuqishme evropiane.
Një pjesë e pasaportave diplomatike janë marrë dhe mbahen në mënyrë abuzive, ashtu si mbajnë dhe përdorin targat CD konsujt e nderit. Në këto kushte, Cakaj ka paralajmëruar një tjetër lëvizje, për t’u hequr të paktën 350 zyrtarëve pasaportat diplomatike.
Ministri ka deklaruar gjithashtu se do të kërkojë edhe ndryshimin e VKM për pajisjen e zyrtarëve me pasaporta diplomatike, për të kufizuar numrin e tyre.
Po cilët zyrtarë kanë të drejtë të pajisjen me pasaporta diplomatike dhe në bazë të cilit vendim e kanë këtë privilegj? Kategoritë e zyrtarëve dhe familjarët e tyre, të cilët kanë të drejtë të pajisen me pasaporta diplomatike janë përcaktuar për herë të parë me vendim Nr. 335, datë 2.9.1997, nënshkruar nga ish-kryeministri Fatos Nano.
Nga viti 1997 deri në vitin 2009 vendimi ka ndryshuar plot 18 herë. Për herë të fundit, ky vendim ka ndryshuar në 12.08.2009, kur kryeministër ishte Sali Berisha.
Ndryshimet e herëpashershme janë bërë për të shtuar kategori të reja zyrtarësh dhe familjarët e tyre në listën e të privilegjuarve, që mund të pajiseshin me pasaporta diplomatike.
Përpos zyrtarëve më të lartë të shtetit, siç janë Presidenti, kryetari i Kuvendit, kryeministri etj., sipas vendimit, të drejtën për t’u pajisur me pasaportë diplomatike e kanë edhe ndihmësi dhe zëdhënësi i Presidentit.
Këtë privilegj e kanë edhe krerët e të gjitha partive parlamentare, shefat e kabinetit, sekretarët e përgjithshëm, anëtarët e personelit diplomatik si dhe oficerët që shoqërojnë jashtë vendit Presidentin, Kryetarin e Kuvendit, kryeministrin, ministrat, kryeprokurorin dhe kreun e KLSH.
Vendimi përfshin edhe anëtarët e KQZ, të Komisionit të Shërbimit Civil, të Gjykatës Kushtetuese, të Gjykatës së Lartë, Kancelarin në Gjykatën e Lartë dhe zëvendësministrat.
Familjarët
Kanë të drejtë për t’u pajisur me pasaporta diplomatike bashkëshortet, djemtë deri në 18 vjeç dhe vajzat e pamartuara që bashkëjetojnë me Presidentin, kryetarin e Kuvendit, kryeministrin dhe anëtarët e personelit diplomatik.
Gjithashtu përfshihen bashkëshortet e e ministrave, e nënkryetarëve të Kuvendit, e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, kryetarit të Gjykatës së Lartë, e Prokurorit të Përgjithshëm, kryetarit të KLSH, Avokatit të Popullit, e Avokatit të Shtetit etj.
Kanë të drejtë të pajisjen me pasaportë diplomatike të gjithë ish-presidentët, ish-kryetarët e Kuvendit, ish-kryeministrat, ish-zëvendëskryeministrat dhe ish-ministrat e Jashtëm. Ndërkaq, ministrat e tjerë, mund të pasjen për një periudhë 5-vjeçare, pas largimit nga detyra.
Dorëzimi i pasaportës diplomatike
Vendimi i qeverisë, i ndryshuar 18 herë, parashikon që në rast se mbajtësi i pasaportës diplomatike apo të shërbimit shkarkohet nga detyra, largohet nga puna apo emërohet në një detyrë tjetër, ai është i detyruar të dorëzojë pasaportën diplomatike ose të shërbimit.
Në rast mosdorëzimi të pasaportës diplomatike ose të shërbimit, Drejtoria Juridike e Konsullore e Ministrisë së Punëve të Jashtme njofton të gjitha përfaqësitë e huaja të akredituara në Tiranë për pavlefshmërinë e pasaportës së padorëzuar.
Drejtoria Juridike e Konsullore, gjithashtu, njofton edhe Ministrinë e Brendshme, e cila urdhëron të gjitha pikat e kalimit kufitar për moslejimin e daljes jashtë shtetit të mbajtësit të kësaj pasaporte, si dhe bllokimin e pasaportës.