Një zyrtar i lartë i Bashkimit Evropian i ka bërë thirrje Rusisë që të rinovojë marrëveshjen për drithërat, në mënyrë që të mundësohet eksporti i sigurt i drithërave ukrainase përmes porteve të Detit të Zi. Muajin e kaluar, Rusia u tërhoq nga kjo marrëveshje. Zëvendëspresidenti ekzekutiv i Komisionit Evropian, Valdis Dombrovskis, tha se kufizimet ruse në eksportimin e drithërave ukrainase përmes Detit të Zi po krijojnë probleme jo vetëm për Kievin, por edhe për shumë shtete në zhvillim. Rusia po i përdor “drithërat si armë”, tha Dombrovskis, i cili është në Indi, ku po merr pjesë në takimin e ministrave të Tregtisë të grupit të 20 shteteve më të industrializuara (G20).

“Ne mbështesim të gjitha përpjekjet e Kombeve të Bashkuara, të Turqisë, për nismën e drithërave të Detit të Zi”, tha ai për gazetarët, duke shtuar se blloku evropian po fron rrugën alternative tregtare – që ndryshe po quhen edhe si rrugë të solidaritetit – të cilat Ukraina po i përdor për të eksportuar drithëra dhe produkte të tjera.

Turqia është duke tentuar që ta bindë Moskën që të kthehet në marrëveshje, e cila u ndërmjetësua nga Ankaraja dhe OKB-ja vitin e kaluar. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, i tha më herët gjatë javës sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, se Rusia do të kthehet në marrëveshje vetëm nëse Perëndimi përmbushë obligimet e tij ndaj Moskës. Që nga skadimi i marrëveshjes, rreth 45 milionë tonë drithëra, farëra vajore dhe produkte të tjera bujqësore janë eksportuar përmes rrugëve alternative përmes Polonisë dhe Rumanisë, duke i ofruar ndihmë jetime për Ukrainën, tha Dombrovskis. BE-ja po e mbështet Ukrainën me ndihma të mbrojtjes, ndihma financiare dhe asistencë tjetër. Kjo ndihmë, sipas Dombrovskis, synon që të shtyjë “trupat ruse përtej kufijve ndërkombëtar të Ukrainës”.

Artikulli paraprakSHPËTOHEN MBI 400 EMIGRANTË NË MESDHE
Artikulli tjetërMINISTRI BALLA: PUBLIKU, PARTNERI KRYESOR I POLICISË SË SHTETIT NË MBROJTJEN E VENDIT DHE TË QYTETARËVE