Drejtori i Përgjithshëm për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negocimet e Zgjerimit, Christian Danielsson nesër do të jetë në Tiranë ku do të takojë krerët më të lartë politikë, Danielsson do të takojë kryeministrin Edi Rama, dhe liderin e opozitës Lulzim Basha.
Zyrtari i lartë i Bashkimit Evropian vjen në Shqipëri në një kohë kur situata politike nuk është aspak e qetë, me opozitën e larguar nga Kuvendi dhe me valën e protestave kundër qeverisë. Kryeministri Edi Rama i ka bërë ftesë për dialog kryedemokratit Basha, thirrje që u refuzua nga ky i fundit.
Vizita e zyrtarit të lartë të BE-së është programuar për tu zhvilluar me një axhendë të mëparshme, por që tashmë e gjen Shqipërinë në një aktualitet problematik.
Vizita e tij do të fokusohet tashmë, pikërisht tek kriza politike. Mësohet se në 09:30, Danielsson do të ketë takim me kryeministrin Edi Rama, dhe në 10:30 me opozitën.
Në 12:00 Danielsson do të mbajë një konferencë për mediat.
Nga ana tjetër, kreu i qeverisë shqiptare është shprehur i vendosur se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme, një kërkesë kjo e opozitës së bashkuar që e akuzon qeverinë të dalë nga vota e krimit.
Një delegacion i lartë i Parlamentit Evropian ditë më parë në Tiranë, tha se zgjedhjet ishin korrekte të mbajtura nën vëzhgimin e OSBE/ODIHR, dhe si të tilla, qeveria është legjitime,
Thirrjet e ndërkombëtarëve kanë qenë që opozita të kthehej në Kuvend, në respekt të votës që qytetarët i besuan në zgjedhjet parlamentare të 2017-ës, ndërsa njëzëri kanë dënuar dhunën e përdorur në protestat e organizuara nga opozita, PD, aleatët e djattë, dhe LSI.