Ukraina ka refuzuar me zemërim sugjerimin e një zyrtari të NATO-s për dorëzimin e një pjese toke te Rusia në këmbim të një ftese për t’u bashkuar me aleancën ushtarake. Stian Jenssen, shefi i stafit të Jens Stoltenberg, sekretarit të përgjithshëm, tha në një konferencë në Norvegji se një marrëveshje e tillë mund t’i japë fund luftës pas thuajse 18 muajsh. “Unë mendoj se zgjidhja mund të jetë që Ukraina të heqë dorë nga territori dhe të marrë anëtarësimin në NATO në këmbim,” tha ai. Vendet perëndimore i kanë dhënë Ukrainës pajisje ushtarake me vlerë miliarda dollarë për t’u përgatitur për kundërsulmin e saj, por shpresat se forcat ruse do të tërhiqen janë zbehur gjatë javëve të fundit.
Kievi pranoi se kishte pak shpresë që kundërofensiva të kishte sukses përpara vitit të ri. Iryna Vereshchuk, zëvendëskryeministrja ukrainase, tha se prtishmëritë se forcat ruse mund të dëboheshin në të ardhmen e afërt ishin të gabuara. “Duhet të jemi të sinqertë, në këtë luftë, rruga drejt fitores do të jetë e gjatë dhe e vështirë,” tha ajo. Zyrtarët në Kiev kritikuan sugjerimin e Jenssen. “Ne gjithmonë kemi supozuar se aleanca, ashtu si Ukraina, nuk bën tregti me territoret,” tha Oleh Nikolenko, një zëdhënës i ministrisë së jashtme. Mykhailo Podolyak, një këshilltar i Zelenskyt, tha se një marrëveshje e tillë thjesht do t’i lejonte Rusisë të rigrupojë forcat e saj. “Është qesharake,” shkroi ai në Telegram. “Kjo do të nënkuptonte zgjedhjen e humbjes së demokracisë, inkurajimin e një krimineli global, ruajtjen e regjimit rus, shkatërrimin e ligjit ndërkombëtar dhe kalimin e luftës te brezat e tjerë”, u shpreh ai.
NATO veproi me shpejtësi për të theksuar se qëndrimi i saj zyrtar ndaj konfliktit nuk kishte ndryshuar. “Ne do të vazhdojmë të mbështesim Ukrainën për aq kohë sa të jetë e nevojshme dhe jemi të përkushtuar për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, tha një zëdhënës i aleancës. Mosmarrëveshja ka të ngjarë të shtojë tensionet midis NATO-s dhe Ukrainës. Muajin e kaluar, përpara një samiti të NATO-s në Vilnius, Lituani, Zelensky e përshkroi refuzimin e NATO-s për t’i dhënë Ukrainës një afat kohor për anëtarësim si ” absurd” dhe u shpreh se aleanca nuk po tregonte mjaftueshëm respekt për Kievin. Jens Stoltenberg, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, ka thënë se Ukraina një ditë do të ftohet të bashkohet. Presidenti Biden ka thënë se do të ishte “e parakohshme” të fillonte procesin e ftesës zyrtare për t’u bashkuar ndërkohë që ajo është në luftë me Rusinë, një superfuqi bërthamore.
Dmitry Medvedev, ish-kryeministri rus, i cili tani është nënkryetar i këshillit të sigurisë së vendit, ka deklaruar se marrëveshja e diskutuar për shkëmbimin e tokës për anëtarësimin në NATO ishte “interesante”. Megjithatë ai tha se Moska do ta konsideronte atë vetëm nëse Ukraina dorëzohej.