Kandidati për deputet në listat e PD-së për qarkun e Korçës, Ervin Salianji ka reaguar lidhur me ngjarjen e rënde ku mbi 50 persona janë shtuar në spital pas marrjes pjesë në mitingun e PD.
“Për të gjithë miqtë dhe pjesëmarrësit e aktivitetit të djeshëm të cilët kanë simptoma të djegies dhe helmimit të mos mjekohen vetë por t’i drejtohen mjekut për trajtim sepse mund të ketë komplikacione të mëtejshme. Dje nëpër spitale që në orët e para të mëngjesit kanë qenë qindra qytetarë! Prag skandali!”,- shkruan Salianji.
Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë, njofton se në Urgjencën e Spitalit Francez nga orët e para të mëngjesit të ditës së diel deri në orën 11.00, janë paraqitur 76 qytetarë të cilët paraqisnin ankesat në vijim: skuqje të fytyrës dhe syve, lotim, kruarje të syve dhe rrufë. Të gjithë qytetarët referojnë se gjatë mbrëmjes së djeshme kanë marrë pjesë në aktivitetin e Partisë Demokratike. Drejtoria e QSUT në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe stafin mjekësor të Shërbimeve të QSUT, morën menjëherë masat për trajtimin e këtyre pacientëve.
Aktualisht, 5 pacientë po mbahen në observim në pavijonin e Okulistikës nga një ekip multidisiplinar mjekësh specialistë. Gjendja e tyre shëndetësore paraqitet e mirë, pa komplikacione të rëndësishme. Drejtoria e QSUT ka vënë në dispozicion të Institutit të Mjekësisë Ligjore të gjithë dokumentacionin e kërkuar për të sqaruar shkaqet e këtyre simptomave.